Nga Migena Aleksi
Lexova një analizë të Gj.Erebara mbi një realitet të ri social në Shqipëri. Gjetja më tronditëse e autorit është thyerja e mitit se kokaina dhe prostitucioni i luksit janë fenomene ekskluzive të elitës së Tiranës apo zonave të luksit.
Përmendje si Bulqiza, Patosi, Dimali apo Grabjani më krijuan një kontrast të fortë. Autori tregon se krimi po shtrihet në “kapilarët” e vendit, duke prekur edhe zonat rurale apo qytezat ish-industriale që vuajnë nga varfëria.
Ky pasqyrim tregon se paraja e pistë ka depërtuar aq thellë në ekonomi, sa ka krijuar një treg konsumi edhe aty ku logjika ekonomike (rrogat e ulëta) nuk do ta lejonte.
Autori bën një krahasim therrës mes dy realiteteve: Në një anë, të dhënat e Bankës Botërore që tregojnë varfërinë ekstreme (25% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 700 lekë në ditë). Në anën tjetër, fakti që një dozë kokaine (0.2g) kushton sa një ditë pune e lodhshme, dhe prostitucioni i luksit (250 euro) kushton sa një pension mesatar.
Ky kontrast për mendimin tim sugjeron ekzistencën e një ekonomie paralele. Shkrimi nuk e thotë hapur, por nënkupton se fitimet nga trafiku ndërkombëtar po “investohen” në konsum brenda vendit, duke krijuar një shtresë që jeton jashtë realitetit të rrogave dhe pensioneve.
Sa për prostitucionin, fakti që 29 nga 30 të arrestuarat janë të huaja (nga Kolumbia te Vietnami) tregon se Shqipëria nuk është më vetëm një vend tranzit apo origjine, por është bërë një destinacion.
Ky është një tregues i pastër i “pjekjes” së krimit të organizuar. Grupet që kontrollojnë trafikun e kokainës apo pristitucionit në Amerikën Latine apo Evropë, tani po sjellin të njëjtat modele edhe në Shqipëri.
Autori vëren me hollësi se policia kap shpesh “doza” ose sasi të vogla (disa gramë), gjë që tregon se po goditet fundi i zinxhirit (shpërndarësit e vegjël).
Megjithatë, numri i madh i operacioneve (30 informacione në dy muaj) shërben si një indikator volumi për të kuptuar se sa shumë drogë po qarkullon në të vërtetë.
Është një diagnozë sociologjike e rëndë për Shqipërinë e vitit 2026.
Vendi po vuan nga sindroma e parave të tepërta të pista që po shkatërrojnë indin tonë social, duke rritur varësinë dhe krimin e rrugës edhe në fshatrat e thella.
Është një shkrim që duhet t’i shqetësojë politikëbërësit më shumë se sa një editorial politik.



