Forcat e Armatosura të Shqipërisë po zhvillojnë procesin e vlerësimit të një kapaciteti të operacioneve speciale, në kuadër të stërvitjes ushtarake “Mburoja Ilire 26”.
Vlerësimi përfshin Special Operations Land Task Group (SOLTG), një grup detyrash për operacione speciale tokësore, të cilin Shqipëria e ka deklaruar si kapacitet në kuadër të NATO-s.
Sipas informacionit të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, procesi realizohet nga vlerësues shqiptarë të certifikuar nga Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s (SOFCOM).
Vlerësimi synon të verifikojë nivelin e përgatitjes, profesionalizmin dhe aftësinë e njësisë për të bashkëvepruar me forcat e vendeve të tjera anëtare të Aleancës, në përputhje me standardet e NATO-s.
Procesi konsiderohet pjesë e përpjekjeve për të garantuar gatishmërinë operacionale të kapaciteteve ushtarake shqiptare dhe përmbushjen e angazhimeve që vendi ka marrë në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Stërvitja “Mburoja Ilire 26” shërben kështu si një mekanizëm për vlerësimin e kapaciteteve të deklaruara nga Shqipëria në NATO, me fokus te përgatitja dhe ndërveprueshmëria në operacionet speciale.



