spot_img
spot_img

Skandali me Veliajn: U transferua në Fier, pa dijeninë e ministrit të Drejtësisë

spot_img

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në dhomën e observimit në burgun e Fierit, pas transferimit nga IEVP Durrës, ditën e djeshme.

Siç mësohet, kjo procedurë zbatohet për të burgosurit që transferohen në një institucion tjetër, për një periudhë fillestare gjatë së cilës drejtuesit e burgut shqyrtojnë dosjen dhe vlerësojnë se, në cilin sektor e qeli do të vendoset i burgosuri, çfarë regjimi do të zbatohet dhe me cilët persona do të qëndrojë.

Sipas procedurës standarde, qëndrimi në observim zgjat nga 1 deri në 10 ditë. Gjatë kësaj periudhe, drejtoria e institucionit duhet të shqyrtojë të dhënat për të paraburgosurin dhe të vendosë për sistemimin e tij.

Por, pavarësisht se observimi është një procedurë e zakonshme pas transferimit, kushtet fizike të ambientit ku është vendosur Veliaj kanë ngritur pikëpyetje serioze.

Sipas deklarimeve të avokatit Plarent Ndreca, dhoma nuk ka dritare, dritë natyrale dhe ajrim, ndërsa ai e ka përshkruar ambientin si të papërshtatshëm për një person të paraburgosur.

Kushtet e raportuara pritet të vlerësohen në kuadër të verifikimeve të nisura edhe nga Avokati i Popullit.

Një tjetër element që ngre pikëpyetje është mënyra se si u administrua transferimi në nivel institucional.

Sipas burimeve, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, nuk është informuar për këtë procedurë, një rast ky i pazakontë i mungesës së informimit të ministrit nga strukturat në varësi.

Veliaj u transferua dje nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Lëvizja u bë, pa u bërë fillimisht publik, një shpjegim zyrtar mbi arsyet konkrete të transferimit.

Avokati Plarent Ndreca deklaroi se nuk i ishte vënë në dispozicion akti që urdhëronte transferimin dhe se, pas mbërritjes në Fier, klienti i tij ishte vendosur në një ambient me kushte të papërshtatshme. Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të bëjnë të ditura bazën ligjore dhe arsyet faktike të vendimit.

Lajmet e fundit