Shkrimtarja e njohur Mimoza Ahmeti i është përgjigjur akuzave të bëra ndaj saj nga aktivisti Andi Tepelena.
Pasi ajo u cilësua si spiune e komunizmit, artistja thotë se është një shpifje e shëmtuar në adresë të saj, duke marrë parasysh censurën që ajo vetë jetoi përgjatë regjimit.
“Shumë e shëmtuar shpifja e Andi Tepelenës, qoftë edhe në shumës. Jam një autore që e kam provuar censurën e atij regjimi, deri në grisjen e faqeve të librit tim me poezi, “Sidomos nesër””, reagoi aktorja për Shekulli-n.
Reagimi i Ahmetit vjen vetëm pak orë pas postimit të aktivistit Tepelena, i cili krahasoi shkrimtaren me spiunat në regjimin komunist, që i servilosen pushtetit, i bëjnë avokatinë qeverisë dhe mbrojnë interesat e politikanëve, në vend që të mbajnë qëndrim të pavarur.
“Në kohët më të errta për një popull, kur shpreson që në betejën për liri, demokraci dhe dinjitet, duhet të ushtrojnë autoritet moral zëra publikë që i paraprijnë dhe i bashkohen nevojës për ndryshim, shfaqen një kategori oborrtarësh, njëlloj si ata që dikur nën peshën e regjimit spiunonin artistët dhe intelektualët disidentë, me zërin e një regjistri që tingëllon sikur flasin në emër të partisë dhe autokratëve të korruptuar, thjeshtë dhe thjeshtë për të ruajtur “status quo-n” e padurueshme”, shkroi dje Tepelena.



