Lorenc Vangjeli ka bërë deklarata të forta lidhur me transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke ngritur dyshime se pas këtij vendimi mund të qëndrojnë arsye të tjera, përtej atyre të sigurisë.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Vangjeli e lidhi transferimin me qëndrimet e fundit të Veliajt për protestat në Serbi, duke theksuar se kryebashkiaku kishte bërë një paralelizëm me zhvillimet politike në Shqipëri.
Sipas tij një tjetër element që ngre pikëpyetje është klasifikimi si “sekret shtetëror” i urdhrit të transferimit. Ai kërkoi të sqarohet se kush e ka dhënë autorizimin për një vendim të tillë, ndërsa theksoi se çështja duhet të hetohet.
Por deklarata më e fortë e Vangjelit lidhej me marrëdhëniet e Veliajt me drejtuesit e Partisë Socialiste. Analisti pretendoi se kryebashkiaku ka nisur të drejtojë gishtin ndaj personave që i konsideron përgjegjës për situatën në të cilën ndodhet, duke përmendur jo vetëm Belinda Ballukun, por tashmë edhe kryeministrin Edi Rama.
“Për të rrëfyer të dhëna që nuk dalin në media, është se Veliaj ka nisur të drejtojë gishtin te personazhe sekretë që i konsideron shkaktarë të fatkeqësisë së tij, jashtë drejtësisë. Gishtin që deri dje e drejtonte ekskluzivisht ndaj Ballukut, sot po e drejton edhe ndaj Ramës.
Nuk ka pasur asnjë sinjal të Veliajt për kërcënim të sigurisë së tij. Ndodhet në korridor me persona të rrezikshëm”, tha Lorenc Vangjeli.



