16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Arratia nga Ukraina në periferi të Tiranës: Historia si në film e familjes Kriachko, që gjeti shpëtim në Shqipëri

    Nga Sorgena Leka

    Historia ka treguar se shqiptarët janë gjithmonë në rreshtin e parë të mikpritjes kur një vend është në rrezik. Dhe tani, radha për të gjetur strehë në Shqipëri pas arratisë nga vendi i tyre, është e ukrainasve. Para tri ditësh në Shqipëri mbërriti edhe familja e parë nga Ukraina. Të strehuar në periferi të Tiranës, në shtëpizën e tyre prej druri që për disa kohë do të jetë edhe shtëpia e tyre e re, Alena Kriachko 39 vjeç, Maria 9 dhe Sergio 17 kanë treguar jetën e tyre, e cila tani ndahet në “para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës”.

    Janë nga Kharchiv, në kufi me Rusinë. Kur nisi çdo gjë, Alena tregon se ishin në shtëpinë e tyre dhe dëgjuan disa shpërthime por nuk e kuptonin se nga vinin apo çfarë po ndodhte. “Telefoni filloi të binte pa pushim dhe të gjithë njerëzit dukeshin në panik”.

    Ajo thotë se kishin shumë pak kohë për të përgatitur disa rroba pasi e kuptuan se ishte e rrezikshme që të rrinin në shtëpi. Kështu shkuan të jetonin në një tjetër shtëpi më të sigurtë në anën tjetër të qytetit dhe qëndruan atje për disa ditë. Fjetën mbi paleta druri, madje nuk e dinë as për sa ditë, sepse e humbën sensin e kohës e as nuk e dinin nëse ishte ditë apo natë.

    Një mëngjes bombarduan sheshin kryesor të qytetit dhe ishte “diçka që na bëri të lëvizim nga aty”. “Shtëpia po dridhej dhe thjesht morëm çantat e shpinës dhe vrapuam për tek stacioni, pasi një shok i djalit na tha se kishte një tren që do të shkonte për në Perëndim të Ukrainës”, shprehet Alena.

    Kjo e nxiti që thjeshtë të ikte. Alena tregon se gjendjen në stacion e ka para syve në çdo moment. Aty ishte plot me njerëz, turma të mëdha, kaos. Kishte njerëz që po kalonin njerëzit e tjerë sikur të ishin duke fluturuar, kishte shumë njerëz me fëmijë, kishte akoma më shumë studentë ndërkombëtarë. “Ishte si një film”.

    Shkuan në perëndim por as aty nuk ishin të sigurt pasi kishte bombardime nga të gjitha anët dhe “nuk doja të përjetoja përsëri të njëjtën gjë kështu që na u desh të kalonim përmes Kievit dhe falë vullnetarëve ia dolëm”. Falë tyre, ato kishin më në fund ushqim të ngrohtë, fjetën në krevate dhe kjo ishte një lloj fitoreje për ta. Kaluan kufirin me Sllovakinë dhe më në fund ishin në Sllovaki. Qëndruan atje dhe disa ditë të tjera përsëri me ndihmën e vullnetarëve. Një familje u liroi një dhomë disa ditë, 5-6 ndoshta.

    Ankthi që Alena ka kaluar nuk duket në fytyrën e saj e as në fjalët e saj por fare mirë mund ta dallosh kur flet dhe nuk di datat e as ditët sepse nuk i mban mend apo sepse ka frikë mos një ditë që i është dukur si një përjetësi, mund të ketë qenë vetëm një ditë.

    Në Sllovaki, një shok i saj që është shqiptar i tha: “Pse nuk shkon në Shqipëri? Është një vend shumë mikpritës. Mund të shkosh atje dhe të vendosësh se çfarë të bësh më tej”.

    “E kuptova që në Sllovaki nuk mund të rrija më shumë përderisa kisha një mundësi për të lëvizur pasi duhej të liroja hapësirën për njerëz të tjerë”, thotë Alena e cila shton se nuk dinte asgjë për Shqipërinë dhe për atë dhe fëmijët e saj ishte sikur të lëviznin me sytë mbyllur.

    Një shoqe e saj i mori bileta nga Sllovakia për në Vjenë dhe më pas do udhëtonin nga Vjena për në Shqipëri.

    Për të shkuar në Vjenë duhej të merrni autobusin, dy trena pastaj ishte dhe udhëtimi për në Shqipëri dhe “dukej si një ekskursion për ne. Kur arritëm këtu ishim shumë të surprizuar, të lumtur, të habitur”.

    Babai i fëmijëve, ish-bashkëshorti i Alenës është në Kharkiv bashkë me prindërit e tij. Gjyshja e fëmijëve nuk donte të linte bashkëshortin e saj pa mbështetje dhe vendosi të qëndronte atje. Atje është edhe vëllai i Alenës i cili duhet të kujdeset për mamanë e tyre dhe kafshët që kanë.

    Gjëja më zemërthyese tani për Alenën është fakti se mamaja e saj nuk ka mundur të lërë vendin për shkak se tashmë po kujdeset për gjyshen e Alenës.

    “Nuk mund ta ndihmoj, nuk mund ta marr këtu. Ajo është atje pa askënd. Tashmë janë krijuar korridore por nëse ajo ikën, kush do të kujdeset për gjyshen?”, thotë Alena që, për herë të parë gjatë bisedës, i dridhet zëri.

    Ajo tregon se flasin çdo ditë me të afërmit e tyre të cilët nuk kanë arritur ta lënë Ukrainën për shkak të kafshëve të tyre, për shkak të të moshuarve, për shkak të disa situatave apo arsyeve, mund të mos dinë anglisht, mund të mos dinë si të ikin etj.

    Gjithsesi, Alena është e lumtur që fëmijët e saj janë të sigurtë.

    “Çdo natë zgjohem dhe lexoj lajmet, shoh video se si shtëpia ime është shkatërruar, shtëpia e prindërve të mi është shkatërruar, gjithë vendi është ndryshe dhe çdo gjë duket thjesht e pamundur të ketë ndodhur”.

    Si ishte jeta e Alenës para luftës?

    “Ishte shumë e ndryshme në periudha të ndryshme”, thotë Alena, e cila tregon pse ka lindur në një familje të njohur në Ukrainë. Babai i saj ka qenë politikan dhe ajo është rritur si princeshë, ka pasur gjithçka.

    Babai i saj ka qenë nga Rusia dhe ka shkuar me studime në Kharkiv kur ishte 17 vjeç ku ka njohur mamanë e Alenës dhe kanë vendosur bashkë të rrinë atje.

    Në moshën 20-vjeçare, Alena u martua. Më pas lindi djalin. Mbaroi dy universitete për Sociologji dhe Filologji.

    “Jeta ime është e mbushur me sfida të tilla dhe më pëlqente. Isha kampione në kalërim, kisha kuajt e mi dhe jeta ishte e bukur”.

    Lindi më pas vajzën, filloi punë në administratën e Kharkiv, punoi atje për disa vite. Më pas donte diçka më shumë dhe filloi punë në Konsullatë. Më pas një ditë babai i saj i tha se kishte kancer. Këtu filloi një histori që ndryshoi gjithë familjen.

    “Ne shkuam në Izrael për ta kuruar. Aty familja jonë ishte në kolaps. filluam të kishim probleme ekonomike, nuk kishim ushqim, nuk kishim ku të jetonim, ishim shumë të mërzitur dhe e gjithë familja po luftonte bashkë me babain. Pas disa kohësh u kthyem në shtëpi dhe ishim të bindur se e mundëm kancerin por shumë shpejt ai filloi të ndjehej keq dhe duhej ta dërgonim përsëri në Izrael por ishte Covid, kështu nuk e dërguam dot dhe për një vit e gjysmë, ai ndërroi jetë. Këtu mendova se është fundi i të keqes, që nuk ka më keq”, thotë Alena.

    Por, tani Alena e kuptoi se gjithë këto sfida, thjeshtë të lënë të kuptosh rëndësinë e jetës, rëndësinë që kanë momentet e kaluara me familjen, me njerëzit e tu. Ato e bënë më të fortë emocionalisht që të kalojë këtë sfidë. Tani e di si të sillet, si të reagojë në situata të ndryshme.

    Ajo tregon se kur gjithçka nisi, vajza vetëm qante gjatë gjithë kohës, nuk pranonte të hante, nuk pinte dhe kishte shumë frikë, njësoj siç kishte frikë Alena për të.

    “Nuk dija çfarë të bëja pasi ishim në një bodrum dhe kishim vetëm ujë, asgjë tjetër”.

    Ndërkohë që djali ishte një ushtar i vogël.

    Alena falënderon Zotin që në shkollë fëmijët kanë një lëndë për stërvitje ushtarake dhe ai ishte i përgatitur për të gjitha situatat që mund të sillte lufta. Ai gjatë gjithë kohës u soll si një burrë i madh edhe pse është thjesht adoleshent. Për herë të parë, ai i dha makinës dhe kaloi nëpër rrugë ndërkohë që rreth e rrotull po bombardoheshin ndërtesa. Pa panik, pa asnjë shqetësim dhe dukej sikur kishte një jetë që e bënte diçka të tillë.

    Tani fëmijët e kanë kuptuar se është një periudhë tjetër e jetës dhe se është diçka që duhet ta kalojnë duke filluar të ndërtojnë jetën e tyre përsëri.

    “E dimë të tre se tani duhet të qetësohemi derisa të kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të bëjmë. Më pas do të mundohemi të ndihmojmë njerëzit në Ukrainë”, thotë ajo.

    Alena ka punuar me organizata ndërkombëtare për bamirësi dhe gjithmonë ka qenë falënderuese ndaj jetës se është personi që ndihmon e nuk është ajo që ndihmohet dhe në momentin që është futur në strehën e vogël në Uka Farm ku është strehuar, ajo ka kuptuar se si i ndryshon rregullat jeta. Për herë të parë në jetën e saj është personi që ka nevojë për ndihmë, gjë që e gjeti në Shqipëri nga shqiptarë që gjatë këtyre ditëve e kanë ndihmuar me rroba dhe ushqime ku siç shprehet Alena, “ushqimi është aq i mirë sa kurrë në jetën time nuk kam ngrënë kaq shumë”.

    Qëndrimi në Shqipëri për të është shumë larg pritshmërive të saj. Kur shoku i saj i tha që të vinte në Shqipëri, ajo zgjodhi me zemër dhe vendosi menjëherë të vinte e kur familjarët e saj morën vesh lajmin, i thanë vetëm: “A je e çmendur?”.

    “Kam qenë para 20 vitesh në Shqipëri me mamanë time por nuk mbaj mend shumë. Unë jam njeri që udhëtoj shumë dhe më pëlqen të mësoj rreth stilit të jetesës së vendeve të ndryshme por për Shqipërinë nuk kam mësuar kurrë diçka. Por tani po kuptoj që këtu njerëzit të ndihmojnë, komunikojnë me ty, janë të sjellshëm, dinë nevojat e tua dhe kjo është e mrekullueshme”, thotë Alena.

    Ajo që nuk kupton Alena është sjellja e rusëve, edhe e familjarëve të saj rusë.

    Personat me të cilët ka kaluar çdo verë gjatë gjithë fëmijërisë së saj, sot nuk pranojnë t’i përgjigjen në telefon apo rrjete sociale. Ata që i janë përgjigjur, i kanë thënë vetëm: “Vetë e keni fajin”.

    Por gjithsesi, sot kujton sjellje të rusëve që tashmë marrin më shumë kuptim. Në vitin 2015 ajo ishte në Rusi tek të afërmit e saj dhe ishte futur për të blerë disa ilaçe që nuk gjendeshin në Ukrainë.

    “Më jep këto ilaçe sepse nuk janë në Ukrainë dhe më vjen mirë që i gjej këtu”, ka thënë Alena në mënyrë shoqërore ndërkohë që reagimi i farmacistet nuk ka qenë aspak shoqëror.

    “Ajo u tremb, bëri disa hapa pas dhe më tha: “Të lutem mos më bëj keq”. Sigurisht që i thashë se nuk kam pse i bëj keq. Sot kuptoj se rusët janë ushqyer gjithë jetën e tyre me informacione të pavërteta për qytetarët e Ukrainës dhe sot nuk është çudi që disa janë dakord me luftën dhe masakrën që po bëhet në Ukrainë”.

    Për momentin Alena ka shumë plane, planin A, B, C, D… por nuk e di se çfarë sjell e ardhmja duke qenë se tani i duket e paparashikueshme por, për momentin, Alena është e lumtur që fëmijët e saj janë të lumtur në Shqipëri. Edhe pse ndonjëherë ndjehet fajtore pse është në një vend të sigurt ndërkohë që familjarët dhe gjithë njerëzit e saj po luftojnë me jetën, përsëri ka vendosur ta shohë gjithë këtë si një sfidë që do e kalojë duke qenë të gjithë të fortë dhe me kurajon për të pritur të ardhmen që, sipas Alenës, do jetë po me sfida, por e bukur.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit