11.5 C
Tirana
E premte, 21 Shkurt, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Drama e Anila Prendushit dhe “varri” që i hapi vetes prej dashurisë

    Nga Blerina Moka

    Dashuria shëron-citon Bibla. Por duket se në vitin 2025, dashuria akoma vret.

    Por më shumë sot vret opinion publik.

    Një grua e re, në moshën 44-vjeç, nënë e 3 fëmijëve po lufton me vdekjen, pasi njeriu që i betohej për dashuri, e goditi jo nga dashuria.

    Anila Prendushi nuk i dihet a e fiton betejën për t’i shpëtuar “kthetrave” të vdekjes, por një gjë është e sigurt.

    Edhe nëse do të ndodhte një mrekulli e tillë, atë s’do ta lënë të qetë ‘moralistët’ e kësaj shoqërie akoma të pa emancipuar që rrit djem për t’i konsideruar gratë e tyre, prona.

    Menjëherë sapo lajmi mori dhenë, ajo çfarë diskutohej më shumë në rrjetet sociale ishte diferenca e moshës së çiftit.

    Pyetje si “çfarë donte një grua 10 vite më e madhe me një djalë të ri, apo nëna e 3 fëmijëve çfarë e lidhte me një djalë beqar”, ishin të shpeshta, e askush s’u mor me fatin e keq të një gruaje që i hapi zemrën dashurisë.

    Shoqëria jonë e kalbur, e pazhvilluar që gruan e divorcuar e fajëson sapo krijon një marrëdhënie, ndërsa djalin beqar që krijon lidhje të vazhdueshme, qoftë dhe me gra të martuara, e quan me eksperiencë, djalë ‘azgan”, që i lejohet të jetojë në emër të rinisë së tij.

    Një grua e divorcuar e ka të pamundur të dojë, të ndjejë, të ndahet, sepse opinioni e përndjek nga pas.

    Ndërsa ai, ai që të lutet, të përbetohet, ai që thotë se “do të vrasë” veten për ty, kur mbyll një raport, e sheh menjëherë të hidhet në krahët e një tjetre, për t’i premtuar dhe asaj të njëjtën gjë, dashurinë.

     Dhe po e le, të quan armik dhe të vret.

    Keqardhja që kam ndjerë si grua për Anilën është e madhe dhe po aq e madhe neveria për komentet dashakeqe ndaj saj.

    Keqardhje ndjej dhe për të riun, djali i një nëne që ndoshta nuk diti ta mësojë se dashuria nuk vret, të duash dikë do të thotë dhe ta lësh të ikë.

    Kam njohur histori të lidhjeve mes çiftit me diferenca në moshë. Njoh dhe raste që nga ndarja kanë dalë të dërrmuar.

    Ndoshta s’do dashurojnë dot më kurrë një ditë, pasi zhgënjimi ka qenë i madh. E megjithë dhimbjen që kanë përjetuar, më i madh ka qenë paragjykimi, mosha, fëmija.

    Sepse në Shqipëri, të jesh një grua e divorcuar dhe të dashurosh një djalë të ri, akoma është tabu. Dhe kjo e bën  të pabarabartë lidhjen që në fillim. Duke i dhënë epërsi djalit që duket sikur të ka bërë nder që të ka dashur.

    Anilën fatkeqe, duket se në jetë s’e kanë dashur, madje as familja, përderisa askush nuk mundi ta shpëtojë nga kjo lidhje toksike.

    Nëse Anila do të jetojë, po mundët ta ngushëlloni do ta lehtësoni nga dhimbja, në të kundërt më mirë të heshtni. Askush më mirë sesa ajo, s’do ta vuajë këtë fatkeqësi.

    Sepse ajo nuk e donte vdekjen e dashurisë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit