20.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Bora Zemani mund ta ketë arritur synimin për më shumë klikime, por a ia vlen?

    Disa ditë më parë, videoja e publikuar në “Cherry on Top”, ku Bora vendoste duart në bark dhe thoshte se: “Një lumturi kaq e madhe nuk mund të mbahet dot vetëm për vete!”, na ‘peshkoi’, na bëri të shkruanim një artikull dhe ta shihnim me shumë kërshëri puntatën e radhës të emisionit që transmetohet në orën 21:00 çdo të premte në Top Channel. Sigurisht, u zhgënjyem.

    Bora nuk ishte shtatzënë, por e përdori këtë “rreng” për t’i thënë botës se ka frikë të vendosë duart mbi bark, se të gjithë aludojnë gjithnjë se është shtatzënë. A thua se kjo vëmendje mediatike nuk u shërben V.I.P-ave për të qenë në qendër të vëmendjes dhe të shumëpërfolur.

    Jo se nuk e dimë se si përdoren fjalitë për të vjelur klikime e për të na ofruar në pjatë lajme të rreme, të cilat kanë vetëm një funksion: Të hapim TV, ose të shohim në YouTube emisionin, për të rritur shifrat e audiencës. Për mendimin tim, pikërisht këtu nis problemi: Ne nuk trajtohemi më si shikues, si një publik i dashur, por si shifra e statistika.

    Që të jemi të qartë: Ne jemi vetë një media dhe sigurisht na pëlqen shumë të klikohemi dhe lexohemi, por përpiqemi që këtë ta bëjmë përmes temave aktuale, trendeve botërore, ngjarjeve interesante, informacionit nga fusha të ndryshme dhe titujve që mund të përmbajnë gjithçka, përpos një informacioni të rremë. E rëndësishme është që të krijosh një urë komunikimi të saktë, interesante dhe edukuese me publikun, i cili kurrsesi nuk mund të jetë një shifër më shumë, por një person me ide, mendime, kritika dhe argumente.

    Pikërisht, uria për klikime mund të sjellë shumëçka, pra, shikueshmëri të lartë, madje, mund ta bëjë një emision që të thyejë rekorde, por për sa kohë? Për sa kohë do të mundet një emision të mbajë pezull publikun? Na beso, për shumë pak! Më pas, rrugëtimi për të fituar sërish besimin e popullit është shumë më i vështirë. Njerëzit të ndjekin, të japin shanse, të falin kur ti gabon, por sapo humbet besimin e audiencës, aty nis sfida e vërtetë.

    Personalisht, i ndjek me kuriozitet emisionet e mbrëmjeve, sepse zbuloj rrëfime interesante (për çështje pune, por edhe për kërshëri personale) dhe do ta ndiqja me qejf Borën, historitë e personazheve të ftuar dhe tematikat që trajton, por do të doja shumë-shumë, që të mos përdorte një shtatzëni false për të tërhequr vëmendjen time. Do jem e sinqertë: Vëmendjen time e mori për ca çaste, por më pas, edhe ndjesinë e zhgënjimit.

    Unë mendoj se as Borës dhe askujt nuk i duhet të bëjë një marketing që fyen inteligjencën e publikut dhe në këtë rast, nuk shërben shprehja: “S’ka reklamë të keqe”. Reklamë të keqe paska, sidomos kur një person publik zgjedh të tallet me një lajm të bukur si pritja e ëmbël e një fëmije. Sepse nuk duhen as dy qeliza në tru për të kuptuar se është një gënjeshtër me të cilën as nuk duhet dhe as ka pse të bëhet “shaka”.

    Bora e arriti synimin, ideatori/ja e kësaj “reklame” po ashtu, por me çfarë çmimi? Ku është ideja që të mashtrosh publikun, ndërkohë që vetë Bora, qysh në nisje të programit, tha se në këtë emision është “e zhveshur” nga luksi i një studioje të madhe, nga gjatësia një fustani klasik dhe nga përkëdheljet që të japin produksionet e mëdha, duke afër më pranë publikut, në mënyrë më të vërtetë?

    E unë, ashtu si shumë prej jush, prisja diçka ndryshe, të vërtetë, pa filtra (aq sa lejon ‘ngurtësia’ dhe profesionaliteti i Borës), por në fakt, u bëra mish për top për ca shikime më shumë. S’është hera e parë, nuk do të jetë as e fundit, por është njësoj zhgënjyese.

    Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga A. Shehu, redaktore kontribuese në Anabel Media.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit