15.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    I zhdukur prej 13 vitesh: Çfarë ndodhi me këshilltarin e Dritan Priftit, që mund të merrte më qafë Ilir Metën?

    Prej 13 vitesh, ish-këshilltari i Dritan Priftit, Eduart Belegu, rezulton i zhdukur.

    Karriera

    Në vitin 2000, Eduart Belegu bën kapërcimin në nivele të larta në biznes, duke krijuar lidhje të rëndësishme. Ai emërohet administrator i kompanisë “Darfo Albania”, subjekti konçesionar që kishte fituar të drejtën për riaktivizimin e aktivitetit të ferrokromit në Elbasan si dhe nxjerrjen e kromit nga minierat e Prrenjasit dhe Pojskës.  Në vitin 2001, kompania që ishte nën pronësi të italianëve të “Darfo” do të zgjeronte konçesionin edhe me minierat e Bulqizës.  Pra, Eduard Belegu drejtonte kompaninë që zotëronte mbi 95 % të aktivitetit tregtar të kromit në Shqipëri.

    Për të kuptuar rëndësinë e kompanisë në fjalë, mjafton të themi se plot 5 % e depozitave botërore të kromit në atë kohë, përllogariteshin se ndodheshin në Shqipëri. Drejtimi i “Darfo-s”, i dha Belegut akses dhe njohje në nivele të larta të politikës.

    “Eduard Belegu ishte biznesmen i suksesshëm merrej me hidrokarbure, krom.  Ishte shumë i suksesshëm në atë periudhë” u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi

    Në vitin 2004, në fillimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ai dallohej si një prej aderuesve të parë dhe më aktivë në atë kohë nga bota e biznesit. Belegu ishte anëtar i këshillit Drejtues dhe anëtar i Kryesisë së LSI-së. Mbi të gjitha, ai njihej si një prej kontributorëve kryesorë financiarë në atë forcë politike. Në botën e biznesit, ai kishte krijuar një profil suksesi dhe shihej edhe nga politika si një kapital jo vetëm ekonomik, por edhe njerëzor.

    Miqtë e tij të dikurshëm rrëfejnë se Belegu, ishte shpesh herë zgjidhja e problemeve të punëtorëve. Në disa episode, ai kishte cuar për kurim jashtë shtetit vartësit e tij. Por këto, mbeten thjesht kujtime pasi nga momenti kur u zhduk, askush prej miqve të dikurshëm të Belegut nuk preferon të flasë për fatin e tij. I vetmi që e bënte, ishte Dritan Prifti, por edhe ai nuk jeton më sot.

    Nisur nga profili i krijuar, LSI i besoi Belegut kandidimin për deputet në zonën e Pogradecit në vitin 2005. Ai u pa si një ofertë e re dhe mori një numër të konsiderueshëm votash. Por, votat ishin të pamjaftueshme për mandatin.

    Abuzimet miliona euro në konçesionin e ferrokromit, telegramet që i çuan Berishës për Belegun

    Referuar dosjes hetimore që “Inside Story” bën publike për herë të parë, dëmi i shkaktuar shtetit kapte vlerën e 6.4 milionë eurove.

    Gjithçka lidhej me çmontimin dhe shitjen për skrap të makinerive të ndryshme. Kontrata koncesionare parashikonte rijetëzimin dhe vënien në funksion të plotë të linjës industriale, duke ruajtur asetet që përbënin pronë shtetërore.

    Kjo dosje, do të ishte shoqëruese e gjithë aktivitetit të Belegut që i vihej përballë nga kundërshtarët sa herë ai u zinte rrugën.

    “Ai personazh u mbajt në një trysni. Në një preisn jo vetëm nga grupet e interesi, jo vetëm kreditorët, por edhe isntituconet, pushteti gjyqësor, u hapën cështje që hapën një sagë sikur kërkonin doemos ta vinin me shpatulla pas muri, qoftë për një përgjegjësi konkrete” u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço

    Çështja e ka pikënisjen në këtë telegram të datës 10 Shtator 2007 që bëhet publik për herë të parë. Një punonjës i uzinës i quajtur Dod Macaj i drejtohej kryeministrit të kohës Sali Berisha. Në material përmendet direkt emri i Eduard Belegut për abuzime me asetet shtetërore. Në datën 8 tetor 2007 dërgohet një telegram i dytë tek kryeministri.

    Referuar këtij dokumenti që shihni, në 3 tetor të vitit 2007, oficeri i Policisë Gjyqësore i dërgon informacion Prokurorisë për vjedhje në uzinën e Elbasanit. Aty sqarohet zhdukja e qindra tonëve krom.

    “Bakri i furrës nr.1 është vjedhur rreth datës 20 Mars 2006 për të cilën ka dëhsmitarë okularë dhe dokumente që vërtetojnë prishjen e furrës nr. 1 për ti vjedhur bakrin prej një sasie afërsiht 40 tonë. Janë zhdukur vagonët e ardhur nga Miniera e Bulqizës, Prrenjasit prej një sasie afro 100 tonë. Copëtuesi i linjës së kuarcit është zhdukur, mendohet se është në përdorim nga firma e kuarcit Blacë, Pogradec”

    Në kompaninë e kuarcit ku autoritetet dyshonin se ishte zhvendosur një prej pajisjeve kryesore ishin aksionerë shtetasi Arefi Jakupllari dhe Eduard Belegu. Kjo kompani, ishte regjistruar në 29 Shtator të vitit 2002 nga Jakupllari. Një muaj më vonë, u bë aksionere me 49 % të kuotave zonja Iliriana Belegu, bashkëshorte e Eduartit. Në Mars të vitit 2009, vetë Eduarti bëhet aksioner me 2 % dhe tashmë ai me bashkëshorten kontrollonin shumicën e kompanisë.

    Trazoi ujrat e biznesit të kromit, a e futën në kurth këshilltarin e Priftit me dosjen e konçesionit?!

    Por, le të kthehemi edhe njëherë tek procedimi i Prokurorisë së Elbasanit ndaj Belegut. Drejtoria e Policisë ka marrë këtë padi penale në 16 janar të vitit 2008. Denoncuesi ishte i njëjti që i shkruante kryeministrit. Në 8 shkurt të vitit 2008 prokuroria regjistroi procedimin penal pa emër konkret të dyshuari.

    Për reth 1 vit me çështjen nuk u ndërmorrën veprime. Kjo pasi inspektimet e realizuara nga autoritetet shtetërore për përmbushjen e detyrimeve koncesionare nga kompania “Darfo”, nuk kishin konstatuar probleme. Madje, oficerët e policisë gjyqësore e morën me rezerva faktin se ndër të tjera, në dëshminë e dhënë nga punëtori, shpreheshin probleme personale të tij me të zhdukurin Belegu.

    “Më kanë hequr nga puna pasi unë dhe disa kolegët e mi kemi dalë në protest për të protestuar në lidhje me kushtet e punës, diferencimet në pagë midis punonjësve të së njëjtës punë. Mua konkretisht për 5 muaj më kanë ndaluar 64800 lektë reja për arsye të tekave të adminsitratorit Eduart Belegu”.

    Ndoshta, problemet ishin fshehur përmes rryshfeteve por, mungesa e padive nga shteti dhe kompania që mund të ishte dëmtuar, ishin faktorë të rëndësishëm që cështja të arkivohej në sirtarë. Historia ndryshoi kur Eduard Belegu po fuqizohej dhe filloi tu shkaktonte probleme konkurentëve në biznes. Çështja e vjetër e drejtësisë ridoli në skenë.

    Në 11 Nëntor të vitit 2009, ndaj Eduard Belegut u regjistrua procedim penal. Ky është dokumenti i firmosur nga prokurori ku urdhërohet regjstrimi i emrit të biznesmenit mes të pandehurve.

    Ai akuzohej për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Së bashku me Belegun u morën të pandehur vartësit e tij Tonin Gjonaj, Nikolin Gjonaj, Fatos Pengu dhe Artur Belegu. Të gjthë këta shtetas ishin përmendur në dëshmitë e punëtorëve për nxjerrjen jashtë funksioni të aseteve të kompanisë dhe shitjen e tyre për skrap.

    Disa ditë më vonë, biznesmeni Belegu do të vihej në pranga në një operacion demonstrativ. Ndalimi i tij u bë pranë zyrës që sapo kishte marrë pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

    “Kjo cështje ka shumë dritëhije, kush luajti rolin determinat që ky person të intimidohej, të dteyrohej të bënte dicka dhe ky person për shak të kësaj të kthehej në shënjestër e pastaj të humbte gjurmët” u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

    Përplasjet në biznes dhe politikë që paraprinë zhdukjen e Eduart Belegut

    Fijet e shumë funksionarëve shkonin drejt bizneseve që po dëmtoheshin për paligjshmëritë e konstatuara gjatë inspektimit të licensave. Ky ishte edhe momenti kur dosja e vjetër u nxorr nga sirtarët. Pas firmosjes së urdhrit për marrjen si i pandehur në datë 11 nëntor, Belegu do të prangosej disa ditë më vonë, në 17 Nëntor 2009.

    Po atë ditë, ministri Dritan Prifti firmos shkarkimin nga detyra të Eduard Belegut, një prej njerëzve më të afërt të tij.  Ai sqaroi aso kohe në daljet për mediat se nga bisedat që kishte pasur, këshillltari I kishte konfirmuar mbylljen e cështjes me drejtësinë.

    “E kam pyetur para se të nsite punë nëse ka problem me drejtësinë. E më tha se kam pasur një cështje të vjetër por për 1 vit e gjysmë smë ka thirrur më njeri, pra konsiderohej cështje e mbyllur. Por cështja u rihap, sapo mora këtë info e kam liruar nga detyra. S’ka pasur konflikt për emërimi ne tij në minsitri…”

    Gjithçka ndodhi nën sfondin e një përplasje të fortë brenda radhëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, një përplasje që do të dilte në publik me publikimin e video-përgjimit të famshëm Meta-Prifti. Vetë Dritan Prifti do të hidhte akuza të ashpra duke ngritur hije të forta dyshimi ndaj kundërshtarëve të tij për zhdukjen e Belegut.

    “Këshilltari im Eduard Belegu është arrestuar me bujë pa shkak të përligjur dhe për të më kërcënuar mua si ministër. Nëse hetohet deri në fund zhdukja e ish këshilltarit tim, mund të jetë mbase një nga hetimet e shekullit në këtë vend.”

    “Cdo njeri që ka problem ndaj zbatimit të detyrës së tij duhet të përgjigjet. E theksoj: prokuroria do ketë mbështetjen time të plotë e LSI për të goditur korrupsionin, jo me fjalë jo retorikë, por veprime konkrete”

    “Ka pasur një përplasje dhe të mëdha, parë dhe kontekstin historik të asaj kohe breda një partie, akuzat e ndërsjellta. Duhet parë cfarë luhej nën këto akuza, cështjet e nxehta mes këtyre perosnazheve” u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

    Belegu u godit për asetet shtetërore, po përgjegjsitë e zyrtarëve publikë?!

    Arrestimi me bujë i Eduard Belegut do të rezultonte një blof. Pas pak muajsh ai do të lirohej dhe procesi ndaj tij vijoi me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Në 26 Shkurt të vitit 2010, përmes këtij vendimi çështja ndaj tij pushohet. Pavarësisht konstatimit të mungesës së shumë prej aseteve të deklaruara të zhdukura, një pjesë e tyre sqarohet se janë rinovuar. Madje, janë kryer edhe kontrolle nga organet shtetërore.

    “Organi Shtetëror ka ushtruar kontrolle periodike për kontrollin e zbatimit të marrëveshjes së koncesionit në uzinën e Ferrokromit Elbasan për realizimin e investimeve të programuara si dhe detyrimeve të tjera të përcaktuara në marrëveshje. Në asnjë rast nga ana e organit shtetëror nuk është marrë ndonjë veprim që ka të bëjë me fillimin e procedurave për zgjidhjen e marrëveshjes së konçesionit prej 30 vitesh apo të jenë identifikuar personat përgjegjës për kryerjen e ndonjë shkelje konkrete”.

    Pra, ajo që sqarohej është fakti se të gjitha pretendimet që ngrihen në procesin penal ndaj Belegut, kanë qenë të njohura botërisht nga autoritetet dhe nuk ishte parë e udhës për kallëzim penal. Në të njëjtin dokument, konkludohet se dëmi ndaj shtetit në vlerën e 6.4 milionë eurove ishte fakt. Kjo do të thotë se zyrtarët ishin në dijeni për gjithcka kompania koncesionare kishte vepruar në uzinën e Ferrokromit nën drejtimin e Belegut. Pra, ato që dikur nuk ishin konsideruar shkelje penale, u ndryshuan tashmë që Belegu dikujt i kishte hapur probleme.

    “Përfundimisht, sipas ekspertëve kontabël shtetit shqiptar i është shkaktuar dëm ekonomik nga shqoëria “Darfo” shpk i cili ka të bëjë me dëmin si pasojë e invetimit të aprealizuar në vlerën 3.4 milionë euro ku penalitetet për investimin e parealizuar janë në vlerën 2.9 milionë euro. Totali i vlerës së dëmit ekonomik të këtij lloji është 6.4 milionë euro”.

    “Nëse do provoheshin ato akzua nuk do ishte i vetëm në bankën e akuzuarve, do kishte fuskionarë të tjerë publik, me shpalljen e tij të zhdukur e vdekur ranë akuzat, ndaj tij, por nuk vijuan hetimet ndaj perosnave të tjerë, fakti ishte i gjerë, duheshin hetime më tej për të parë kush ishin abuzues më tej me fondet publike” u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço

    Në fund, prokurori vendosi pushimin e cështjes ndaj Belegut duke argumentuar se fakti i ndodhur nuk parashkohet nga ligji si vepër penale.

    Mesazhi i fundit i Belegut, pse policia vonoi nisjen e hetimeve për zhdukjen

    Në 24 Mars të vitit 2010, në komisariatin numër 1 në Tiranë paraqitet bashkëshortja e Eduard Belegut, Ilirjana, e cila denoncon zhdukjen e partnerit të saj. Referuar dokumentit në dosjen hetimore, sqarohet se Belegu ishte larguar nga banesa një ditë më parë, në 23 Mars dhe nuk ishte kthyer. Për herë të fundit, ka qenë i vëllai i tij Gëzimi që ka marrë një sms nga telefoni i Eduardit. Ai më pas telefonon i shqetësuar kunatën dhe i thotë se do të shkojë të flasë për diçka, duke i treguar përmbajtjen e mesazhit që kishte marrë.

    “Po me merzisin prap për ate çeshtjen e vjeter. Do te largohem per disa dite. Atyre thuaju qe jam jashte Tiranës. Kujdes nga shtëpia, do të telefonoj vetë”.

    “Për rastet e rrëmbimeve 24 orëshi i parë është i vetmi ku mund mblidhen më shumë të dhëna se cdo pjesë tjetër kohore më pas. Ajo cka ngadalësoi punën e policisë ishte një mesazh ku personi zgjidhte vullnetarisht të largohej, kjo u li vigjielncën fillestare, dhe veprimet që u bënë ishin të vonuara” u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

    “Personi jo vetëm e kishte hequr qafe por kishte shfrytëzuar mudënsinë e fundit përmes telefonit që shleva borxhet, pra me një gurë vrau dy zogj” u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi

    Pas mesazhit të fundit, 2 telefonat e Belegut janë fikur. Këtu aludimi shkon për shqetësimet rreth hetimit ndaj Belegut për akuzën e vjedhjes së aseteve shtetërore në Metalurgjikun e Elbasanit. Por, siç sqaruam më sipër, dosja e tij ishte zbutur në akuzën e “shpërdorimit të kompetencave” dhe ai ishte liruar nga qelia. Belegu nuk kishte asnjë interes të largohej për tju shmangur drejtësisë pasi në këtë mënyrë rëndonte pozitat e tij.

    “Ne vlerësuam edhe përmes hetimit gjithë këtë pistë, të themi apo shkak të vetzhdukjes dhe vlerësim gjithë rrethanave me perosnalitet, rrethanave familjare, rrethit tij shoqëror dhe aftësive tij menduam që nuk ishte një shkak i mundëshm që të bënte një vetëzhdukje” u shpreh ish prokurori i dosjes “Belegu”, Eugen Beci.

    Ditët e para pas marrjes së denoncimit, veprimet e policisë kanë qenë mjaft të ngadalta pasi pista kryesore që u ngrit fillimisht ishte ajo e largimit të qëllimshëm të Belegut. Dyshimet në këtë pistë bazoheshin tek problemet që ai kishte me drejtësinë por edhe konflikte të dyshuara në biznesin e kromit. Madje, siç duket në dokumentet e dosjes hetimore, familjarët dhe të afërmit e Belegut u vunë nën përgjim nga policia.

    Si u përgjuan familjarët e Belegut pas zhdukjes

    “Me qëllim marrjen e të dhënave për të identifikuar autorët e mundshëm të këtij rrëmbimi por dhe për të përcaktuar vendndodhjen e personit të zhdukur shtetasit Eduart Belegu është e nevojshme të vëzhgohen dhe përgjohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin në banesën e shtetasit Eduart Belegu”.

    Për të paktën 15 ditë, oficerët e terrenit mbanin në vëzhgim vilën e Belegut në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi” dhe lëvizjet e të afërmve të tij. Në një tjetër dokument, autorizohen oficerët e Policisë Gjyqësore të përgjojnë edhe bisedat telefonike të bashkëshortes së Eduardit.

    “Nga tërësia e provave rezulton e domosdoshme qe te pergjohen te gjitha permbajtjet e  bisedave hyrese dhe dalese te numrave telefonik celular të mësipërm. Nga bisedat hyrëse e dalëse të zhvilluara në këto numra telefoni mund të identifikohet jo vetëm vendndodhja e pengut por dhe autorët e mundshëm të kësaj vepre penale”.

    Në atë kohë, ka reaguar ashpër edhe i ndjeri Dritan Prifti. Ai akzuoi rëndë policinë se po i shmangej të vërtetës dhe veprimeve hetimore që të çonin tek zbardhja e ngjarjes.

    “Policia, edhe sot, familjes së tij i thotë na thoni ku ka shkuar Belegu. Policia dhe prokuroria nuk e ka marrë në asnjë rast seriozisht denoncimin tim publik se zoti Bejlegu është zhdukur nga të tjerë dhe jo vetë. Më vjen shumë keq që drejtësia nuk ka vepruar”.

    “Shumë shpejt u kalua në kudnërsulm duke thënë që u vetzhduk se ka problem, kishte në fakt problem ishte arrestuar, besoj që ishte lojë e polcisë për mos krijuar imazh të keq të vetja e për ti thënë popullit mirë bëri që iku se krminel, etj etj, e njëjta histori që përsëritet” u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi

    “U përdorën mjete dhe metoda shumë teknike hetimi, operative dhe gjurmuese që ishte me miratim të gjykatës për të shmangur këtë pistë, si të thuash edhe për të vënë para përgjegjësisë vetë policinë për ti thënë që nuk është zhdukje qëllimshme, atëherë hajde të vijojmë me verisonet e tjera, mbaj mend që edhe kjo pistë na mori shumë kohë por u arrit që u rrëzua si pistë” u shpreh ish prokurori i dosjes “Belegu”, Eugen Beci.

    Borxhi i madh ndaj Belegut, eksperti kriminalist i diktaturës që e takoi i fundit

    Pas kryerjes së përgjimeve ambjentale dhe telefonike, prokuroria përfundimisht rrëzoi pistën e largimit të qëllimshëm të Belegut duke zgjeruar veprimet në pista të tjera. Referuar dëshmisë së zonjës Ilirjana Belegu, ditën e fundit bashkëshorti i saj kishte shkuar të merrte pas një shumë të konsiderueshme parash që ia kishte dhënë borxh një biznesmeni.

    “Eduarti do te shkonte ne Laprake tek shtetasi Thanas Gjinopulli i thirrur NASHO, ku do te merrte nje sasi dollaresh qe Nasho ja kishte borxh dhe me pas do te shkonte ne Durres”.

    “U fokusua në zhdukjen e Belegut nga një njeri që i kishte borxh 100 mijë euro apo dollarë, ky njeri kishte magazinë te Asllan Rusi ku u gjet dhe mjeti Belegut” u shpreh ish prokurori, Eugen Beci

    Gjinopulli, një ish ekspert I Kriminalistikës në Polici gjatë diktaturës, njihej si biznesmen. Në dëshminë e dhënë, ky shtetas që thirrej me emrin Nasho ka rrëfyer se është takuar me Belegun pikërisht ditën kur ai u raportua I zhdukur, gjatë orëve të paradites. Eduardi ishte parë për herë të fundit i gjallë pikërisht pranë magazinës së Nashos. A ishte një prej njerëzve të fundit që kishte takuar. Këto të dhëna dhe borxhet e mëdha që ai i detyrohej Belegut, krijuan dyshime të forta te grupi hetimor ndaj këtij personazhi. Ai, u vu nën përgjim siç zbulohet në dosjen hetimore.

    “Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi Thanas Gjinopulli i cili është personi që ka kontaktuar i fundit me Eduart Belegun. Nga tërësia e provave rezulton e domosdoshme qe te pergjohen te gjitha permbajtjet e bisedave hyrese dhe dalese te numrave telefonik celular të mësipërm. Për shkaqe të ngutshme, veprimi duhet të fillojë urgjentisht”

    “Fakti që për herë të fundit ky subjekt u gjend në një vend të caktuar në Laprakë, në një objekt konkret, persona konkretë, dhe nga aty spati më gjurmë, ne na detyronte të vinim në fokus hetimit tonë këtë objekt dhe personazhe që kishin objektin në tërësi. Ndaj hetimi ishte perqendruar në atë zonë Tiranës dhe atë bojekt, dhe vetë subjektet që e kishin në pronësi objekti ne shërbimit” u shpreh ish prokurori i dosjes “Belegu”, Eugen Beci.

    Dëshmitë e gruas së Blegut dhe prokurorit

    Në dëshminë që ka dhënë aso kohe Gjinopulli ka deklaruar se i ka shlyer Belegut një borxh prej 76 mijë dollarësh të ndara në tetë topa si dhe një letër ku ishin shënimet përkatëse të likujdimeve. Ai ka dëshmuar se Belegu mori paratë dhe u largua drejt Durrësit, duke i lënë takim pasdite tek noteri.

    “Sipas Nashos kur është larguar nga magazina Eduarti ka takuar disa persona në rrugë. Më pas rreth orës 13:30 Eduarti i ka dërguar një sms Nashos ku i ka thënë që ato që më dhe janë 76 000 $ jo 80000 $ dhe i ka lënë takim Nashos tek noteri në orën 16:00. Ai pra Eduarti në atë orë nuk është paraqitur tek noteri”.

    Zhdukja për një shumë kaq të madhe parash ishte një pistë mjaft me interes për policinë dhe prokurorinë. Ajo që binte fort në sy ishin edhe kontradiktat në dëshminë e Gjinopullit. Ai është ballafaquar në polici me bashkëshorten e Eduard Belegut. Në një tjetër dëshmi që ajo do të jepte më vonë para prokurorit, dalin në dritë disa momente interesante të ballafaqimit me Gjinopullin.

    “Gjatë kohës që oficerët po pyesnin Nashon në lidhje me takimin e fundit të tij me Edin dhe paratë që Nasho i kishte dhënë Edit në atë takim, unë dëgjova që Nasho nuk ishte konseguent në fjalët e tij dhe ngatërrohej me shifrat të cilat ai ia kishte borxh Edit dhe do tia kthente”.

    ”Jo vetëm mungesa e koherencës në veprimtarinë që paraqiste i dyshuari për momentin, se duhet jemi korrekt me termat, ai ka qenë i dyshuar për momentin ,asgjë më tepër, një nga pistat që do verifikohej…jo vetëm kjo mungesë koherence si e shpejgonte kontaktin me të zhdukurin,  por dhe mënyra e kryerjes vetë takimit, mënyra e komunikimit përmes mesazheve telefonike na krijoi përshtypje që këtu dicka nuk shkonte dhe duhej të kishte thelllim të mëtejshëm të heitmit” u shpreh Eugen Beci, ish prokuror i dosjes ”Belegu”.

    Sipas dëshmisë, Nasho kishte deklaruar se do ti kthente Belegut 20 deri në 30 mijë dollarë nga borxhi që I kishte, dhe jo 80 mijë sa deklaroi më pas. Ilirjana deklaroi se edhe vetë Eduardi I kishte thënë ditën që u zhduk se do shkonte tek Nasho të merrte 20 mijë nga borxhi, pa saktësuar euro apo dollar.

    ”Kur dëgjova nga Nasho në polici që i kishte dhënë Edit tetë topa me dollarë që bënin shumën 80 mijë dollarë unë u habita sepse Nasho kishte premtuar ti kthente 20 ose 30 mijë dhe papritur një ditë më pas në mëngjes i kthen 80 mijë dollarë. Madje për këtë gjë Nashon e pyeti dhe një punonjës policie dhe Nashoja tha se unë i kisha gjëndje dhe meqënëse kisha për t’ia dhënë ja dhashë shumën më tepër se ckisha premtuar një ditë më parë”.

    Inside Story

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit