20.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Pse po sulmohet Veliaj dhe nga kush (dhe pse të dy palët do jenë të gabuar)

    Nga Bedri Islami

    Opozita berishiste ka kohë që ka ndezur të gjithë motorët kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ndalimi nga SPAK i dy drejtorëve të kësaj bashkie përbën një precedent dhe do të ishte naive të mendohej që nuk do të shfrytëzohej nga opozita, aq më tepër nga një opozitë si kjo, e cila proteston për çdo gjë, ashtu siç është gati për çdo pazar të ulët sapo i del në shteg. Zero parime, zero moral, zero integritet.

    Tani ka nisur protestat e dhunshme, medemek e shqetësuar për korrupsionin, megjithëse çështja është në ndjekje penale, pra ende në hetim dhe askush nuk e di se çfarë do të dalë prej saj.

    Veliaj ka qenë në syrin e ciklonit berishist, edhe kur nuk ka pasur fare sinjale se mund të ketë akte të korrupsionit, edhe kur punët e tij janë shquar për mbarësinë që kanë dëshmuar, edhe kur ka ngritur parqe, edhe kur ka mbjellë pemë, edhe kur ka ngritur shkolla, qendra për fëmijët, kopshte, çerdhe. Edhe kur Tirana është shpallur kryeqytet i rinisë ka pasur akuza, edhe kur vijnë të huajt dhe përgëzojnë zhvillimin e Tiranës i janë sulur Bashkisë.

    Veliaj do të vazhdojë të jetë në qendrën e ciklonit politik dhe të mediave të lidhura me berishët. Për sa kohë të jetë në detyrën ku e kanë zgjedhur me një shumicë dërmuese besimi, ai nuk do mund të shpëtojë nga kjo.

    Ai është shefi i madh i bashkisë më të madhe të Shqipërisë, qytet në të cilin janë më shumë se gjysma e popullsisë së këtij vendi. Në Tiranë ka patur zhvillime të pazakonta edhe për një vend me ekonomi të rritur. Ajo ka fuqi financiare dhe burime njerëzore shumë herë më të mëdha se gjithë pjesa tjetër e vendit. Nga këtu buron edhe përgjegjësia e drejtimit të saj.

    Për më tepër, Tirana është një qytet i ngritur nga dërma që i kishte dhënë opozita e tashme kur ishte në pushtet, nga shkallmimi i barakave, zaptimi i lumit të Lanës dhe hapësirave jetike, një qytet ku berishizmi bajat shkon me revole në brez për të protestuar edhe për një qendër fëmijësh, apo ku “zyrtarë shteti” bëhen pjesë e rebelimit ndaj vlerave të qytetit.

    Ajo që shohin ata që duan të shohin është që Tirana është bërë kaq joshëse dhe e veçantë pikërisht sepse në shumicën e viteve pluraliste atë e ka qeverisur e majta. Sa herë ka ndodhur ndryshe, ajo ka qenë ose në pragun e rrënimit të saj, kjo në vitet e para berishiste të pluralizmit, ose, çka është edhe më keq, në heshtjen e plotë dhe gjumin e rëndë të Lulit, i vetmi aktivitet i të cilit, e që mbahet mend, është kurbani i dashit në dyert e bashkisë.

    Mbase e kemi harruar Tiranën e votave të vjedhura nga Berisha dhe “asnjanësi” Ristani, ku vegjetoi katër vite ish-kanakari berishist.

    Fillimisht nga Edi Rama dhe në 9 vitet e fundit nga Veliaj, Tirana ndryshoi tërësisht pamjen e saj. Doli nga strofulla e ngujimit politik e financiar dhe befas, u bë qyteti , rrugët e të cilit gjallërojnë nga jeta. Po. Në Tiranë, jeta shqiptare ka ritëm tjetër.

    Veliaj nuk është nga të majtët klasikë, të cilët, zakonisht, vijnë nga një traditë familjare e së majtës. Krijues i lëvizjes “Mjaft”, ai u bë i njohur pikërisht si njëri ndër kundërshtarët e qeverive të majta. Sidomos në kohën kur vetë forca politike që quhej e majtë po ndahej, korrupsioni po bëhej vijë politike dhe synimet e së majtës progresive po harroheshin.

    Veliaj nuk vjen as nga familjet e “ Bllokut” apo e funksionarëve të lartë komunistë. Sado të gjurmosh nuk do të gjesh asnjë lidhje të tillë. Sado të përpiqen të rikthejnë luftën e klasave në formën e tanishme të luftës për pushtet, kjo nuk ngjit në rastin e shefit të Bashkisë së Tiranës. Pinjollët e “Bllokut” apo qarkut të lartë komunist më lehtë i gjen në opozitën e Rithemelimit, se sa në lëvizjet e së majtës.

    Edhe po të kishte ardhur në politikë nga familje të tilla, kjo, pas 34 viteve pluralizëm , nuk përbën as faj e as mëkat. Nëse do të ishte kështu, shumë nga drejtuesit dhe krijuesit e opozitës së dhjetorit nuk do të duhej të ishin fare në politikë, që nga Berisha, Pashko, Ruli, Tritan Shehu, Vejsiu, Hajdari… Lista është shumë e gjatë, dhe, nëse do të shtohej këtu edhe lista e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, atëherë “prijësit e anti komunizmit” do na dilnin heronj të rremë. Ashtu si shumëkush i mendon se janë. Dhe jo pa të drejtë. E nëse do të bënim “ mëkatin” të dinim edhe listën e bashkëpunëtorëve aktivë apo të fjetur të shërbimit sekret serb, gjallëruar në pragun e dhjetorit 1990, atëherë opozita e sotme anti-Veliaj do të krijohej nga shumë të tjerë.

    Veliaj ka përgjegjësinë e tij në ngjarjet e fundit. Edhe ai vetë e di këtë. Ndryshe nuk do të ishte drejtuesi i aftë që njohin të gjithë dhe do të lejonte faje e gabime të tjera. Secili drejtues mban mbi supe përgjegjësinë për bashkëpunëtorët e tij. Por ai nuk po sulmohet për këtë

    Veliaj është sulmuar që në ditën e parë të mandatit të tij të parë dhe vazhdon të sulmohet edhe tani sepse Berisha dhe të tjerët e dinë që Veliaj nuk është një figurë kalimtare e së majtës.

    Është njëri nga drejtuesit politikë që, në të gjitha përplasjet që ka pasur me opozitën, në zgjedhjet politike apo vendore, si drejtues politik i qarkut të Tiranës, gjithëherë e ka mposhtur. Dhe, sa më shumë që kanë shkuar vitet, aq më e thellë është bërë diferenca mes Tiranës së Veliajt dhe opozitës.

    Votimet e 14 majit të vitit të shkuar ishin dërmuese për opozitën dhe janë sinjali i vitit 2025, kur do të jenë zgjedhjet e reja politike.

    Duke pasur përballë drejtuesin e qeverisë dhe atë të bashkisë, Rithemelimi apo Foltorja, e ndarë apo e bashkuar, është e bindur se humbja do të jetë edhe më e rëndë. Shumica qeveritare ka ndezur motorët që tani për vitin 2025. Opozita është ende në shuarjen e ndasive dhe sherreve të saj. Shumica qeverisëse, në shkallën sipërore apo në bashki, ka prej kohe synimet e saj dhe roli i kryetarit të bashkisë është bërë prej kohe shembulli i votave të shumta, sidomos sepse ndërthurr të rinjtë dhe brezin që tradicionalisht ka votuar majtas. Opozitën nuk e trembin të moshuarit, ata, për vetë moshën që kanë, nuk përbëjnë të ardhmen. Atë e tremb afrimi i të rinjve, sidomos i figurave të njohura të saj, drejt së majtës, dhe kjo po ndodh furishëm në Tiranë.

    Që të dobësohet kjo, duhet goditur fort Erion Veliaj. Nuk ka rrugë tjetër. Shefin e qeverisë, Edi Rama nuk e heqin dot. E kanë provuar me gjithçka, nga bojkoti, te kërcënimet, nga bllokime rrugësh, te molotovët. Nuk ia kanë dalë.

    Opozitës berishiste i duhet edhe të marrë veten. Pazari për daljen nga bllokimi i parlamentit nuk ka ngjitur në opozitën reale. Ndaj opozitës i duhet tani një luftë e re politike. Kjo është normale për çdo opozitë në botë, por pacipëria e berishizmit arkaik shkon edhe përtej asaj që bën bota: nxjerr në rrugë disa nga figurat më të përfolura të korrupsionit që të protestojnë kundër korrupsionit!

    Këta shkojnë te Bashkia dhe flasin për “bijtë e baballarëve”! Kur vetë janë aty pikërisht nga pozitat që kanë pasur etërit e tyre. Të të bëjë moral Argita Berisha për abuzime financiare të kujton atë anekdotë  të vjetër, kur një djalë i ri shkon të fejohet, dhe, kur pyet për vajzën nëse është e ndershme, i thonë një zëri: E ndershme është, po pak shtatzanë.

    Është e qartë që rrudhja e protestuesve dhe mbushja e saj me familjarë të njeriut të bllokuar në katin e sipërm të një banese për korrupsion, nuk e shton seriozitetin e “antikorrupsionit”, e mpak atë. Gjithherë qëndrimet serioze nisin nga bindje serioze dhe njerëz seriozë.

    Përdorja e atij që edhe e quajnë “skapi i partisë” edhe ia marrin ndalimet për alibi protestash, do të jetë i dobishëm deri asaj dite kur hidhërimi i njerëzve do të përballet me të vërtetën e atyre që i kanë thirrur të protestojnë.

    Sa për të tjerët, do apo nuk do Berisha, duan apo nuk duan rrymat që përplasen në pas skenën e së majtës, që herë pas here janë “ushqyesit” e Berishës “me materiale”, Veliaj është sot një ndër dy figurat më popullore jo vetëm të së majtës. Do të jetë edhe pas mbarimit të mandatit të tij të tretë në drejtimin e bashkisë, që, sipas ligjit, është edhe i fundit. Pastaj ai do të kthehet sërish aty ku nis: në selinë e së majtës.

    Opozita berishiste nuk e do që të jetë aty. Për më tepër e do krejt jashtë radhëve të së majtës, pikërisht sepse e di që prej Veliajt mund të humbasë edhe më tej se 14 maji.

    Edhe ndonjë grupim brenda së majtës nuk e do, pasi mendon se raportet e krijuara tani e që mund të rikrijohen në të ardhmen, mund të përmbysen më lehtë nëse ai nuk do të jetë rishtas pjesë e drejtimit sipëror të së majtës, gjithnjë si njëri ndër bashkëpunëtorët më të besuar të Edi Ramës.

    Të dy palët do të jenë të gabuar.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit