16.5 C
Tirana
E enjte, 9 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Si e mbrojti “Vojo Kushi” – Ilir Meta, marrëveshjen e detit me Greqinë

    Që pas publikimit të videos së famshme mbrëmjen e 11 janarit 2011, ku shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me pasuritë publike në zyrën e ish ministrit Dritan Prifti, Ilir Meta ka evituar si kartë të tij politike luftën kundër korrupsionit, duke e zëvëndësuar gradualisht me atë të patriotit që lufton dhe mbron atdheun.

    Petku i atdhetarit po dominon edhe Intifadën e Ilir Metës kundër Altin Dumanit, drejtuesit të strukturës më lartë hetimore në Shqipëri, e cila ka në dorë tre dosje për Metën, për pastrim parash dhe korrupsion.

    Kreu i LSI-së, me emër të ndryshuar në Partia e Lirisë (zakon ky i keqbërësve që rreken të fshijnë të kaluarën), Ilir Meta e identifikon veten me herojntë Vojo Kushi, Vasil Laçi, Avni Rustemi etj.

    Edhe pse në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve ka imazhin e politikanit matrapaz që përdor pushtetit për t’u pasuruar, Ilir Meta ka pasur, të paktën, një herë, gjatë këtyre tre dekadave, mundësinë për të mbrojtur atdheun.

    Dhe kjo mundësi ishte procesi i shqyrtimit të ligjshmërisë nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes së detit me Greqinë, me protagonistë Sali Berishën dhe Lulzim Bashës.

    Nuk ka prova dhe as indicie që Ilir Meta ka dorë në marrëveshjen famëkeqe të 27 prillit 2009, ndoshta ngaqë nuk ishte pjesë e qeverisë në atë kohë, por Ilir Meta ka mbrojur këtë marrëveshje më pas në cilësinë e Ministrit të Jashtëm në Gjykatën Kushtetuese, përmes përfaqësuese të tij.

    Marrëveshja “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare” u nënshkrua në 27.04.2009 nga qeveria Berisha.

    Partia Socialiste e Shqipërisë i kërkoi Gjykatën Kushtetuese përmes përfaqësuesve të autorizuar të saj, Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe Mysylm Pashaj të shqyrtonte pajtueshmërinë e saj me Kushtetutën. Padisë ju bashkangjitën edhe Partia Social-Demokrate (Skënder Gjinushi) Partia Demokracia Sociale (Paskal Milo) Partia Demokristiane (Nard Ndoka), Partia Ligj dhe Drejtësi (Spartak Ngjela) dhe Partia G 99 (Erion Veliaj).

    Kushtetuesja vendosi në 26 nëntor 2009 kalimin e në seancë të çështjes. Gjatë shqyrtimit të kërkesë padisë së PS nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Jashme me në krye Ilir Metën është pozicionuar pro marrëveshjes me Greqinë dhe kundra pretendimeve të PS se marrëveshja cenonte integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë.

    Në faqet 6 dhe 7 të vendimit, reflektohen edhe argumentet e Ministrisë së Jashtme pro marrëveshjes së detit.

    Në periudhën shtator 2009 deri në shtator 2010, Ilir Meta ka qenë Z/Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme.

    Shqyrtimi i marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese ka nisur në nëntor 2009 dhe ka përfundur në shkurt 2010.

    Gjykata Kushtetuese me vendimin 15, datë 15.4.2010, e shfuqizoi marrëveshjen duke arritur në përfundimin se është e papajtueshme me Kushtetutën.

    Një herë të vetme kishte mundësi të mbronte interesin kombëtar dhe u pozicionua kundër.

    Ilir Meta nuk tradhtoi apo shiti atdheu. Pozicioni i tij është edhe më kompromentues. Ka mbështetur dorëzimin e territoreve në këmbim të lejes nga Sali Berisha për të vjedhur dhe plaçkitur pasuritë publike, si patericë e qeverisjes. Plaçkitja reflektohet në video me zë dhe figurë si dhe në një sagë dosjesh të njohura.

    Patriot në studio televizive, në dolli dhe kur ka halle me drejtësinë. Tradhtar dhe matrapaz në ‘luftë’.

    Dhe kulmi i cinizmit ishte disa ditë më parë kur Ilir Meta tha se Edi Ramës i falte çdo sulm personal, por tradhtinë ndaj atdheut nuk mund t’ia falte, duke iu referuar marrëveshjes së detit, pasi për këtë atdhe kishin luftuar Vojo Kushët.

    Dhe bëjnë të habiturin pse në sondazhe dalin më të pabesueshmit dhe zvogëlohen në çdo palë zgjedhje. (Adriatik Doçi)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit