22.5 C
Tirana
E martë, 7 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    A do jetë Mark Marku dekani i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë?

    Çdo katër vite edhe në universitete ka zgjedhje.

    Ministria e Arsimit ka përcaktuar 21 qershorin si datën kur do të zhvillohet gara për autoritetet e reja drejtuese në të gjithë institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.

    Ndërkohë 1 muaj para kësaj date do të kenë kohë kandidatët për të shpalosur platformat e tyre pse duhet të zgjidhen në krye të institucioneve.

    Burime për VoxNews thanë se kandidat për dekan në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë do të jetë profesori i gazetarisë, Mark Marku.

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku një kritik i ashpër i qeverisë socialiste, disa ditë më parë u pa në podcast-in “Flasim” të kryeministrit, Edi Rama.

    Ajo që habiti edhe më shumë shikuesit e podcast-it të kryeministrit, ishte ndjesa publike e Ramës për ‘sulmet’ gjatë fushatës zgjedhore të 2021, ku Mark Marku ishte drejtuesi politik në Lezhë.

    “Si fillim dua të kërkoj ndjesë për një arsye që nuk më bën krenarë. Ndjesë se në një moment barrikadimeve gjatë fushatës së fundit në mos gabohem ishe kandidat në Lezhë dhe unë në mitingun e Lezhës ta thoja emrin Mark Marku por me një fjalë ironie që nuk më bën krenar sot“, tha Rama.

    Por çfarë kishte thënë kryeministri Rama për kandidatin për deputet Mark Marku gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të vitit 2021:

    Gjatë një takimi në Lezhë në fushatën e zgjedhjeve të 2021-it, ku bëri prezantimin e kandidatëve për deputetë, Rama sulmoi 2 kandidatët e renditur në fillim të listës së PD në Lezhë, Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj.

    Rama tha se lezhjanët nuk duhet ta votojnë Markun sepse ai s’do të bëjë asnjë punë, ndërsa Gjekmarkajn e cilësoi një “lolo”.

    “Jua kam thënë në këtë shesh, mos e votoni Frrok Frrokun. E votuat dhe shkoi në burg. Po jua them sërish nga ky shesh që mos votoni Mark Markun. Marku nuk futet në burg, por nuk bën dot asnjë punë. E vetmja punë që bënte është të kërcënonte se do gjuante me shishe te Fevziu, po as atje s’vete dot se nuk është më analist. Mirë Mark Markun, po atë bishtin nga mbrapa, Gjekmarku? Ai është lolo, unë e njoh nga eksperienca ime se kam patur disa përballje me të”, tha Rama ndër të tjera.

    Po ashtu Rama kishte ironizuar caktimin e pedagogut Mark Marku si drejtues politik në këtë qark për zgjedhjet e 25 prillit.

    Rama publikoi në rrjete sociale një video ku shihet Mark Marku në një debat me Musa Ulqinin në emisionin “Opinion” teksa thotë: “Mos më fol se do të shaj. Do të shaj keq dhe do të masakroj. Do të hedh këtë shishen kokës. Boll po të them. Do ta mbyll gojën me forcë. Mos ha m*t më po them. Kaq. Më le të flas”.

    Krahas videos, Rama ironizon Markun duke shkruar: “Presor gazetarie dhe kandidat për ministër arsimi i OpBashkuar opopo”.

    Ndërkohë duket se edhe ish-deputeti ka lënë pas ofendimet e Ramës, duke pranuar kështu faljen e tij.

    “Gjyshi im ka pasur emrin Mark. Një herë dikush më tha: Pse nuk e ndërron emrin? Po me këtë emër do të paragjykohesh. Nuk kam pse ta ndërroj. Jam mësuar me të e do më dukej sikur nuk jam ai”-tha Mark Marku.

    Më 5 prill Elisa Spiropali, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, publikoi disa foto gjatë një takimi me dy profesorë, Mark Marku dhe Jean-Michel de Waelle.

    Sipas ministres Spiropali, dy profesorat i parashtruan ide dhe projekte që synojnë një bashkëpunim trepolar mes dy universiteteve dhe Kuvendit të Shqiperisë apo edhe qeverisë shqiptare për të rritur trasparencën mes tyre dhe qytetarëve.

    Rregulloret e procesit zgjedhor në universitete

    Rregulloret e procesit zgjedhor janë hartuar si dhe janë ngritur komisionet institucionale të zgjedhjeve, teksa priten emrat e kandidatëve, të cilët kanë të drejtë të vetëkandidohen, në varësi edhe të disa kritereve.

    Mirëpo, kur akademikët janë përfshirë në ethet e përgatitjes së zgjedhjeve universitare, në përgjithësi studentët nuk janë në dijeni të procesit, e madje shprehen paragjykues për rezultatin.

    Kritika dhe mos-interesimi i studentëve për zgjedhjet në universitet:

    “E di që ekziston si proces, por nuk më intereson të merrem”. “Nuk do votoj se nuk besoj”, u shprehën disa prej studentëve, shkruan tch.

    Ndërsa pesha e studentëve në përzgjedhjen e autoriteteve drejtuese në universitete, krahasuar me pedagogët , llogaritet në masën 10% të totalit të votave.

    “Transparenca duhet më shumë për mendimin tim dhe meritokracia. Pesha e studentëve duhet të ishte 50 me 50 se ne e dimë më mirë kush duhet të na drejtojë”, tha një studente.

    Kush rektor lejohet të kandidojë dhe kush jo:

    Ligji për arsimin e lartë lejon që rektorët, dekanët apo drejtuesit e departamenteve të shërbejnë vetëm në dy mandate.

    Në këto kushte, do të ndërpritet karriera e drejtuesit për rektorin e mjekësisë Arben Gjata, rektorin e politeknikut Andrea Maliqarin, rektorin e arteve Kastriot Caushin dhe rektorët e universiteteve të rretheve në Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër.

    Ndërsa kanë të drejtë të rizgjidhen rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, rektori i bujqësorit Fatbardh Sallaku, rektori i sporteve Agron Kasa dhe rektorja e durrësit, Kseanela Sotirofski.

    VoxNews

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit