14.5 C
Tirana
E mërkurë, 8 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    “Beleri” është çështje e antishqiptarëve

    Nga Viktor Malaj

    “Çështja Beleri është çështje e të gjithë shqiptarëve” – Sali Berisha

    Në përpjekjet e saj për të luftuar pushtetin aktual me çdo mjet e mënyrë dhe për t’u ringjallur, opozita kryesore shqiptare e ka shpallur “Çështjen Beleri” si çështje të të gjithë shqiptarëve. Me çdo mjet e mënyrë dhe pa pushim po trumbeton se arrestimi, hetimi dhe gjykimi i shtetasit shqiptaro-grek me emrin Fredi Beleri është dëshmi e faktit se drejtësia në Shqipëri është e kapur dhe e keqpërdorur nga shumica në pushtet, se alias greku Beleri është i pafajshëm dhe se mbahet në burg me qëllim që qeveria shqiptare të ketë dorë të lirë për të vepruar mbi pronat e shtrira në juridiksionin e bashkisë Himarë.

    Në pamje të parë, sikur të mos i njihnim avokatët politikë të Belerit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, do të na krijohej perceptimi se kanë të drejtë dhe se, sidoqoftë puna, “këtu diçka fshihet”. Avokatët politikë dhe tellallët politiko-mediatikë të çështjes Beleri e kanë hallin krejt gjetkë dhe as që iu dhemb barku për Belerin. Me propagandën dhe trushplarjen që përpiqen t’iu bëjnë shqiptarëve pa ndalur që nga dita e arrestimit të Fredi Belerit, synojnë të bindin çdo kokëbosh dhe të nxitin çdo kokënxehtë se ne jetojmë nën një regjim që të burgos kur të dojë ai, me sajime dhe prova të rreme dhe se, po në këtë mënyrë, është akuzuar dhe vënë në arrest shtëpie edhe “lexhenda” e tyre, Sali Berisha.

    Duke qenë një projekt politik antishqiptar “çështja Beleri”, përveç karakterit normal juridik, ka marrë edhe karakter të mprehtë politik, kombëtar dhe ndërkombëtar. Së pari, duhet vënë në dukje se zyrat avokatore dhe propagandistike politike nuk munden kurrë të shërbejnë si argumente juridike, as si asgjësuese të procedimeve e procedurave juridike. Ato mund të shërbejnë si alibi shfajësimesh, si atú (letër bixhozi që fiton mbi të tjerat, ose mjet i volitshëm që përdoret për të fituar ose për të arritur diçka) në luftën politike brenda vendit apo si “kalë troje” në arritjen e synimeve kundrejt fqinjëve, por jo si Gjykatë Supreme kombëtare a ndërkombëtare. Presionet politike për pafajësi të të akuzuarve apo dënuarve janë po aq të njëanshme, hileqare dhe të pandershme sa presionet politike që synojnë fajësimin apo dënimin e dikujt.

    Në një vend normal dhe shoqëri të qytetëruar, të vetëdijshme për të mirën individuale, shoqërore dhe kombëtare, kandidimi për kryetar bashkie i një individi të paarsimuar dhe, sidomos, me një të kaluar të errët e kriminale do të përbënte një turp qytetar, një bumerang politik dhe një disfatë të sigurt zgjedhore. Cili individ politik apo cila forcë politike në botën perëndimore do të kishte guxuar t’iu bëjë thirrje shtetasve të vendit të vet të votojnë si drejtues të pushtetit vendor, pa folur për atë qendror, një individ të pakulturuar dhe, sidomos, të dënuar penalisht në dy vende, nga të cilat në vendin garues për veprën penale: “Poshtërim të Republikës dhe simboleve të saj”?!

    E, pra, ata që kanë pasur pafytyrësinë morale dhe papërgjegjshmërinë kombëtare të kandidojnë Fredi Belerin për kryetar bashkie të Himarës, megjithëse e njihnin mirë atë, ashtu siç njihnin faktin e trajnimit të tij në Qipro për akte terroriste, nën maskën e përgatitjes si hidraulik, apo pjesëmarrjen e tij në aktin terrorist të postës kufitare të Peshkëpisë në vitin 1994, dalin sot para shqiptarëve pa iu bërë syri tërr dhe iu flasin për të drejta qytetare, zgjedhore dhe për dinjitet kombëtar. Po këta sharlatanë e banditë politikë, që kanë tjetërsuar dikur votat në Myzeqe për deputetët e Parlamentit, që kanë dhunuar tërësisht procesin zgjedhor të 26 majit 1996, që kanë falsifikuar votimet e përgjithshme të vitit 2009 dhe s’pranonin hapjen e kutive zgjedhore ku fshihej krimi i tyre, këta derdimenë që manipuluan hapur votimin për bashkinë e Tiranës në 2011, si dhe mjaft procese zgjedhore brenda partisë së tyre, na shfaqen tani si engjëj mbrojtës të votës së lirë dhe luftëtarë “për kthimin e votës së lirë”. Ironi e madhe, tallje e paimagjinueshme dhe fyerje ekstreme e kujtesës dhe, sidomos, e dinjitetit të qytetarit normal shqiptar. Ujqërit kërkojnë të bëhen barinj, djajtë shfaqen si engjëj, kriminelët e papenduar duan të veshin togën (të marrin atributet) e gjyqtarit suprem. Në vend që të heshtnin për dëmin antidemokratik dhe antikombëtar që kanë shkaktuar, duke propozuar për kryeqytetar të Himarës një njeri të padenjë kulturalisht dhe të dëmshëm politikisht, një individ të betuar për helenizimin (tjetërsimin shpirtëror fillimisht dhe pastaj territorial të një krahine shqiptare), na e shpallin çështjen e tij juridike si “çështje të të gjithë shqiptarëve”.

    Jo, zotërinj gangsterë politikë dhe jo politikë! Çështja Beleris është, para së gjithash dhe mbi gjithçka, një çështje e antishqiptarëve. Ajo është çështje, madje projekt politik antishqiptar, i politikës gati dyqind vjeçare greke, politikë e “veshur nuse” dhe me makijazh modern perëndimor, e paraqitur si “evropiane”, meqë Greqia është pjesë e BE-së, dhe e shitur për demokratike, meqë e paraqet çështjen në fjalë si argument të shkeljes së të drejtave dhe lirive demokratike. Dhe, jo vetëm kaq, por Ministri i Jashtëm grek, z. Gerapetritis, përsëriti se “Kjo nuk është një çështje bilaterale… por një çështje evropiane”.

    Një shtet dhe një politikë e pandryshuar si ajo greke, që nuk ka pranuar të nënshkruaj Konventat Ndërkombëtare për Minoritetet, që mohon ekzistencën e pakicave kombëtare (çudi, vendi që i shitet botës si djepi i demokracisë!?) dhe që është shembull negativ në Evropë për deportimin dhe asimilimin e tyre vazhdon të sillet si mbrojtës i të drejtave të pakicave kombëtare apo të të drejtave të njeriut në përgjithësi.

    Kësaj politike hipokrite me tendenca grabitëse në dëm të popujve dhe kombësive të tjera fqinje i ka ndihur herë hapur, herë nën rrogoz diplomacia evropiane. Për të qëndruar brenda kornizave të një shkrimi, mjafton të kujtojmë se 100 vjet më parë diplomati anglez Ejër Krou (Eyre Crowe) shprehej se: “Duhet pasur besim në aftësinë e madhe asimiluese të popullit grek”. Dhe oreksi shovinist ka ardhur duke u shtuar, aq sa duket se edhe BE-ja nuk po e duron më tej grykësinë grabitqare të politikës greke ndaj fqinjëve. Është e freskët deklarata e I. Santos të cilën do ta citoj më poshtë.

    Është e qartë për këdo që ka sy në ballë se Fredi Beleris nuk është thjesht një shtetas grek dhe pjesëtar i pakicës greke në Shqipëri, pakicë ku gjenden me qindra njerëz dinjitozë, por është një vegël, një “Kal Troje” në projektin politik afatgjatë për helenizimin e trevave shqiptare në jug të vendit.

    Niveli i mjerë kulturor dhe personaliteti krejt i padenjë i kandidatit të katapultuar nga Athina për kryetar të bashkisë së Himarës dhe, sidomos, këmbëngulja e politikës greke për vendosjen e kandidaturës së tij pas disa humbjeve dhe moslejimeve nga legjislacioni shqiptar, dëshmon qartë se politika greke as që do t’ia dijë për shkelje të normave demokratike në vendet e tjera, sidomos në Shqipëri, por i intereson keqpërdorimi i parimeve dhe normave demokratike për të arritur synime antidemokratike dhe antishqiptare. Po t’i interesonte e para dhe po të ishte e sinqertë me minoritetin grek në Shqipëri, do të kishte bërë çmos që kandidatë të minoritetit për pushtetin lokal apo qendror në Shqipëri të ishin bijtë dhe bijat më të mira të kësaj bashkësie etnike. Mirëpo, bijtë dhe bijat më të mira të asaj pakice nuk pranojnë të bëhen vegla të reja të synimeve dhe planeve të vjetra të Athinës. Po të merakosej për standardet demokratike të të tjerëve do ta kishte ngritur zërin dhe vendosur “sanksione” politike kur në Shqipëri janë manipuluar e dhunuar procese mbarëkombëtare zgjedhore apo kur burgoseshin, rriheshin e vriteshin opozitarët.

    Athina zyrtare hiqet sikur propagandon dhe mbron parimet e shtetit demokratik, por njëri prej këtyre parimeve është mosndërhyrja e politikës në punën e sistemit të drejtësisë dhe, veçanërisht, në procese konkrete gjyqësore. Nëse kjo ndërhyrje nuk i lejohet politikës vendase, pse duhet t’i lejohet politikës së të huajve?  Qeveria greke përpiqet të keqpërdor anëtarësinë e saj në BE për të imponuar qeverisjet politike në Shqipëri dhe vendimmarrjet e gjyqësorit shqiptar në mënyrë që t’i shkojë deri në fund realizimit të njërit prej projekteve politike antishqiptare, siç, për fat të keq, ia ka arritur me disa të tjera. Prandaj e paraqet një çështje juridike shqiptare si një çështje politike evropiane. Mirëpo, për të mirën e qëndrueshmërisë së BE znj. Isabel Santos, Raportuese për Shqipërinë në PE, reagoi duke deklaruar se: “Meqenëse çështja nuk është mbyllur nga organet gjyqësore, duhet të presim vendimin e gjykatës, pasi është në proces gjyqësor. Nëse të gjitha vendet do të sanksiononin apo bënin të tilla deklarata (si ajo greke- V. M.) kur një shtetas i tyre përballet me një proces gjyqësor, bota do të ishte e tmerrshme”.

    Nga ana tjetër, në Shqipëri një pjesë e opozitës dhe e njerëzve të medies kanë rënë në pozita antishqiptare lidhur me këtë çështje, secili për arsyet dhe hesapet e veta. Opozita kërkon kapital politik, ndërsa ndodhet e zhytur në gropën e vet septike, edhe për shkak të autogolit politik dhe kombëtar që ka bërë duke votuar një njeri si Beleris. Disa njerëz të medias kanë rënë në këto pozita thjesht pse urrejnë qeverisjen aktuale. Urrejtja ndaj qeverisë së sotme, edhe kur ndodh të jetë e drejtë dhe e motivuar, nuk mund të shkojë deri atje sa të keqpërdorësh një mjet antishqiptar për të luftuar një qeveri shqiptare. Opozita shqiptare dhe këta individë të medias, lidhur me çështjen Beleri, na kujtojnë qëndrimet e turpshme të kundërshtarëve të Ahmet Zogut, tipat e Mustafa Krujës, Ali Këlcyrës etj. që i bënin dikur thirrje Italisë fashiste “ta pushtonte Shqipërinë dhe ta zbonte beun e Matit”. Gjithashtu, ata na sjellin ndërmend terroristët e tipit Zenel Shehu, Hamit Matjani etj. të cilët viheshin në shërbim të zbulimeve të huaja dhe synimeve të tyre shoviniste kundrejt Shqipërisë vetëm për hir të përmbysjes së regjimit në Shqipëri.

    Disa prej analistëve shqiptarë e shtrojnë problemin si alarm, sipas tyre, për mundësinë e “manipulimeve të tjera” nga qeveria shqiptare dhe “burgosjen e atyre që janë kundër qeverisë”. Me gjithë mëkatet e mëdha e të shumta të kësaj qeverisjeje, ajo nuk ka ende në rekordet e saj ndonjë gazetar apo opozitar të burgosur politik, ndërkohë që këta analistë “të sinqertë” na thonë se kjo qeverisje përbën rrezik për shtetin demokratik dhe, së bashku me skifterët opozitarë, na e kërkojnë shpëtimin tek ata që kanë rekorde të përsëritura të rrahjeve, burgosjeve dhe vrasjeve të gazetarëve dhe opozitarëve. Madje, njëri nga zëvendësit e Non-Gratës na premton se “pas një viti Shqipëria do të jetë e lirë dhe demokratike”, domethënë kur të kthehet në pushtet “minuesi i demokracisë”, “armiku i shtypit të lirë”, “regjimi i gangsterëve”, “ordineri i rrezikshëm” dhe të tjera përcaktime për Sali Berishën të bëra nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe shtypi më prestigjioz i vendeve të Bashkimit Evropian.

    Pasi u përpoqën më kot të gjejnë kleçka juridiko-procedurale, megjithëse s’janë juristë, këta analistë injorojnë plotësisht edhe shkeljet e tjera të Kodit Zgjedhor nga Beleri dhe stafi i tij greko-shqiptar gjatë fushatës, siç janë premtimet për pasaporta e pensione greke, për bursa falas në universitetet shtetërore greke apo dërgimin e organizuar dhe të porositur për të votuar të emigrantëve shqiptarë në Greqi nga autoritetet greke.

    Çështja Beleris, në të vërtetë, është thjesht një çështje juridike shqiptare. Atë përpiqen ta kthejnë në “çështje evropiane” misiondhënësit e tij në Athinë, ndërsa “çështje të të gjithë shqiptarëve” e kanë shpallur Non-gratat e Tiranës që besojnë, me dëshpërim, se do t’i shpëtojë Beleris i Athinës.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit